Ç’është kinemaja?

0
36

Ç’është kinemaja? Është më e rëndësishme ta shtrosh pyetjen sesa të kërkosh një përgjigje të vetme. Ka mundësi që çdo film të çon te një film tjetër plotësisht të ndryshëm. Kjo larmi është karakteristike për një formë arti e cila pa pushim e vë në pyetje vetveten dhe botën të cilën e reflekton; dhe është edhe kjo larmi që ka rëndësi për Berlinalen, kjo përbën të kaluarën dhe të ardhmen e saj. Filmat janë një apel për shikueset dhe shikuesit që të shkëputen nga siguritë dhe të bëhen dikush tjetër, edhe pse ai person tjetër na shtang, mund të mos jetë kryetrim ose nuk na shkon pas midesë. Në kohët kur uni nxitet me gjithnjë e më shumë vrull në planin e parë, qoftë si ideologji, qoftë si fe ose garant identiteti, nuk duhet të harrojmë që bota vizuale e kinemasë, në kundërshtim me botën vizuale të reklamës, gjithnjë synon një bashkësi. Ajo nuk shfaqet në mënyrë të prerë si dikush që duhet të bindë të tjerë, por hap pyetje me të cilat njerëzit duhet të merreshin. Kinemaja nuk ofron asgjë që mund të blihet, por mbjell dyshime.

Sot shumica e imazheve frymëzohen ose ndikohen nga imazhe të tjera. Nënkuptohet rreziku i madh që të humbaset nga shikimi pika referuese – realiteti dhe njerëzit të cilët lëvizen në të. Filmat e seksioneve të ndryshe paraqesin tregime për njeriun në hipokrisinë e tij, në thyeshmërinë e tij të madhërishme, me demonët e tij të errët si dhe ndriçimet e pashpresuara. Na përket neve të pranojmë këto tregime pa paragjykim.

Carlo Chatrian, drejtori artistik i Berlinales

Shqipëroi Silke Liria Blumbach

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu