Filmi inaugurues i Berlinales: Një homazh për letërsinë

0
24
Margaret Qualley. © micro_scope

Sipas Julia Cameron-it, autores së bestseller-it “Rruga e artistit”, ka shumë “artistë hije”. Një artist hije rrethohet nga artistë të arritur, kërkon kontaktin e tyre dhe përpiqet të zhytet në botën e tyre. Vetëm rrallë i bie ndër mend që ata janë vetëm një zëvendësim për diçka që ka brenda vetes: dëshira për t’u bërë vetë artist. Vetëm që ky artist të brendshëm, qoftë nga mosbesimi në aftësitë e veta ose nga rrethana të tjera, nuk del në dritë të ditës, por mbetet i fshehur në hije. Jeta e drejtpërdrejtë me krijime të veta zëvendësohet me një jetë të dorës së dytë nëpërmjet krijimtarisë së të tjerëve.

Një artiste e tillë hije është Joanna Rakoff, e luajtur mrekullisht nga Margaret Qualley në filmin inaugurues të Berlinales “Viti im i Salinger-it” (My Salinger Year) prej regjisorit Philippe Falardeau. Shoku i ri i saj po shkruan një roman, shokë të tjerë punojnë për shtëpi botuese, dhe ajo vetë, për kënaqësinë e saj të madhe, ka gjetur punë në një agjenci letrare në Nju Jork, e cila, përfaqëson shkrimtarin e famshëm Jerry Salinger. Shefja e saj aq tradicionale – refuzon risi teknike si kompjutera – sa tiranike, e luajtur nga Sigourney Weaver, pohon se agjentët letrare nuk duhet të jenë shkrimtarë, ndërsa rrethi intelektual e përbuz poezinë. Me buzëqeshje të madhe, sy ndriçues dhe një motivim të paskaj, Joanna i përkushtohet punës si sekretare duke fshehur në zemër të vërtetën: se ëndrra e saj më e madhe është të bëhet shkrimtare, dhe që ajo që shkruan është pikërisht poezia.

Vetëm kur sheh se si shoqja e saj heq dorë nga gjithçka që deri më tani ka pasur rëndësi për të – qyteti i madh, shoqëria e vjetër dhe, para së gjithash, puna e saj –, Joanna di që kështu nuk do të përfundojë kurrsesi. Letrat e fatit (shqipto: pushteti, mundësitë profesionale dhe artistike si dhe mundësia për të zgjedhur vetë ecurinë e jetës) ishin dhe në njëfarë mënyre vazhdojnë të jenë të shpërndara ndryshe për meshkujt dhe femrat.

Një mentor të papritur e gjen pikërisht në njeriun me të cilin i është ndaluar të flasë: Vetë Salinger, në biseda telefonike kur shefja nuk është në zyrë, zbulon intuitivisht poeten brenda Joannës, e inkurajon të ndjekë misionin e saj dhe i këshillon të shkruajë çdo ditë. Të rezervojë, për shembull, 15 minuta çdo mëngjes.

Në konstelacionet e saj ndërpersonale, Joanna gjendet në fusha të ndryshme tensioni lidhur me jetën letrare: Pavarësia e intelektualëve të rinj kundër komercializimit të agjencisë letrare, dhe brenda kësaj ndërmarrjeje, profesionalizmi kalkulues funksional e shefes kundër integrimit të empatisë dhe emocioneve në marrëdhëniet e punës. Ky konflikt i fundit del në shesh kur Joanna nuk dëshiron më t’u përgjigjet fansave të Salinger-it me një letër të ftohtë refuzimi, por fiillon të kujdeset për letërshkruesit deri në mosbindje.

Më në fund, pas peripecive të pashmangshme në jetën e protagonistëve, fitojnë dashuritë e vërteta. Joanna shkëputet nga shoku i saj me romanin e tij të dobët për t’u kthyer tek ish-shoku Carl, i cili nuk ka mbaruar kurrë ta duajë. Po në çastin e suksesit më të madh, Joanna mbaron punën e saj dhe ndjek këshillin e Salinger-it duke shkruar, shkruar, shkruar… duke përfshirë këta muaj në agjencinë letrare në Nju Jork, se filmi është i bazuar në librin autobiografik të Joanna Rakoff-it. Kjo përvojë autentike është një frymëzim edhe për fillestarë të penës, edhe për shkrimtarë të regjur, dhe një film optimist dhe zemërngrohës për të gjithë shikuesit.

Silke Liria Blumbach

Sigourney Weaver, Margaret Qualley. © micro_scope

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu