Kanë ikur arinjtë!

0
55
Foto: LiriArt

Berlinalja e 70-të me drejtorë të rinj dhe ndryshime të shumta

Kush shëtitet këtyre ditëve nëpër rrugët e Berlinit, duke ditur që afrohet festivali më i madh për filmin i hapur për publikun, çuditet: Po arinjtë ku kanë ikur? Në vitet e kaluara, ose ata vetë ose gëzofët e tyre popullonin posterë, kartolina dhe ekrane. Kjo kafshë më e përkëdhelur e kineastëve (mbase bashkë me luanin e Venedikut) duket se i ka rënë pre ndryshimit të klimës ose virusit Korona. Në vend të kësaj gjejmë vetëm një shkronjë dhe dy shifra, në ngjyra dhe pozicione të ndryshme, tejet të thjeshta, funksionale – B70.

Kur isha fëmijë, gjyshi im na shëtiste në një makinë të tipit K70. Por B70 nuk është modeli më i ri i sponsorit Audi. Do të thotë thjeshtë: Berlinalja e 70-të. Dhe kjo arritje e moshës gjyshërore kremtohet me motive pamore të cilat i ngjajnë stilit të Bauhausit, kësaj shkolle fascinuese të arkitekturës, artizanatit dhe artit novator e cila festoi vjet 100 vjetorin.

Ky stil i reduktuar në ekstrem, deri në humbje të çdo rrahjeje zemre, është njëri nga krijimet e çiftit i cili prej këtij viti gjendet në krye të drejtorisë së Festivalit. Iku Dieter Kosslick me shallin e tij rugovian. Siç erdhi në modë së pari në Partinë e Gjelbërt, pastaj në Partinë Socialdemokrate Gjermane, tani kryesia përbëhet nga një femër dhe një mashkull. Asnjëri prej tyre nuk është gjerman, gjë që nuk është aq unike pasi Festivali drejtohej për një kohë të gjatë nga zvicerani Moritz de Hadeln.

Femra është holandezja 64 vjeçare Mariette Rissenbeek, e cila, pas një karriere të gjatë si producente filmash, është tani drejtorja komerciale dhe administrative. Ndërsa mashkulli erdhi nga Italia: bëhet fjalë për ish-drejtorin e Festivalit të Lokarnos, 49 vjeçarin Carlo Chatrian. Paragjykimet për temperamentin e përmbajtur gjermanik dhe atë më të shpenguar mesdhetar, çifti ynë i Berlinales (që nuk është çift as martësor, as dashuror) i përmbush për mrekulli. Së paku kjo është përshtypja që mbetet pas konferencës së tyre të shtypit për programin e Konkursit dhe disa prej novacioneve të tyre, duke lënë mënjanë mënjanimin e arinjve.

Se, falë Zotit! nuk u mënjanuan si shpërblime në formë të argjendtë, të artë dhe të xhamtë. Por të flasësh për një konkurs është gënjeshtër – sepse jo vetëm drejtorët, por edhe konkurset tani janë dy! I dyti përqëndrohet në filma më të guxuar, duke përfshirë anën formale, filma që e sfidojnë shikuesin. Ky seksion i ri quhet „Encounters“ (Takime). Shpërblimet nuk u bëjnë konkurrencë arinjve të çmuar të “Competition” (Konkurs) sepse e kanë grabitqarin vetëm mbi një pllakëz. Ndërsa një ndryshim i Konkursit të vjetër është që tani e tutje nuk lejohet më që filma të marrin pjesë jashtë konkurrencës. Kjo praktikohej deri më tani nga filmbërës që donin reputacionin e pjesëmarrjes në seksionin më prestigjioz, por pa kaluar rrezikun e turpit të madh të mosfitimit të ndonjë çmimi.

Përveç kësaj, programi është zvogëluar, por jo aq shumë: përafërsisht 340 filma në vend të 400. Disa rubrika janë zhdukur: kinemaja kulinare, kjo “bebe” e Kosslick-ut, që përfshinte filma për ushqim, nga bujqësia deri në gastronomi, të përcjellur me një menu të sofistikuar për çmimin e të cilit një i papunë do të duhej të kursente kafshatën e gojës për dy jave. Një humbje më e madhe është rubrika “Native”, e cila çdo dy vjet promovonte filma të krijuesve indigjenë, duke sensibilizuar për problemet e popujve të tyre. Një ndryshim është edhe programi lidhur me “Ariun e nderit” për veprën jetësore të një njeriu të filmit. Kurse deri vjet paraqitej një panoramë për veprën e tërë të laureatit, sivjet tregohen vetëm një grusht filmash me aktoren e nderuar angleze Helen Mirren.

Një veçori për hir të 70 vjetorit është “On Transmission”. Këtu nja shtatë regjisorë që dikur shkëlqyen në ndonjë edicion të Festivalit paraqesin filmat e tyre fituese duke sjellë një koleg(e) që prezanton një vepër të vet. Meqë Rissenbeek dhe Chatrian theksuan që dialogu për kinemanë nuk duhet të mungojë, këto çifte regjisorësh do të kenë çfarë të bisedojnë. Po ashtu një jubile e ka “Forumi”. Për 50 vjetorin e tij do të rishfaqet dhe rikujtohet gati gjysma e programit të Forumit të parë të vitit 1971: filma për greva punëtorësh dhe protesta studentësh, për emancipimin e grave, për luftën e njerëzve me ngjyrë edhe në SHBA, edhe në Afrikun e Jugut, filma të angazhuar nga dhe për njerëz të angazhuar në një kohë të rrëmujshme. Tamam si tani.

Disa ndryshime në Berlinalen e sivjetshme janë të padëshiruara dhe të paplanifikuara. Vetëm para disa ditësh u zbulua që drejtori i parë i Berlinales, Alfred Bauer, ishte një funksionar i lartë në politikën kulturore të nacionalsocializmit. Menjëherë u tërhoq çmimi me emrin e tij dhe çështja do të hulumtohet nga një komitet i pavarur. Në afërsi të sheshit Potsdamer Platz, qendrës së Berlinales, u mbyll një kinema. U mbyll edhe McDonalds-i i këtushëm, që ishte burimi për kafen më të lirë në një zonë përndryshe mjaft të shtrenjtë. U mbyllën edhe disa dyqane dhe lokale në qendrën tregtare „Arkaden“, i cili po rinohet. Në bodrumin e Pallatit të Berlinales, thuajse nën qilimin e kuq, vjet ende parajsa e gazetarëve, gjendet tash një ndërmarrje që organizon koncerte të zhurmshme. Me shumë diplomaci, pronarët u bindën t’i pushojnë këto koncerte gjatë Festivalit, por kjo qendër e shtypit u zhvendos në katin e dytë të një ndërtese pak më larg, ku ngadalshmëria e ashensorëve vetëm me humor mund të cilësohet si ndihmë për t’u dhuruar pak qetësi gazetarëve të stresuar. Fundmë, linja kryesore e metros, që sillte mijëra njerëz në kinematë, për shkak të një kantieri nuk ndalet në Potsdamer Platz.

Vetëm një gjë zhdukjen e së cilës e kishin paralajmëruar për edicionin e sivjetshëm, na ka mbetur. Fatkeqësisht pranë Pallatit të Berlinales gjendet ende një kazino e madhe.

Gjithsesi pelegrinët e vërtetë të kinemasë nuk tremben nga detaje të tilla. Para ditës së parë të shitjes së biletave flenë gjumë në shesh para sporteleve të shitjes në „Arkaden“ për të mos humbur hyrjen në filmat e dëshiruar. Dhe qindra bashkëpunëtorë, nga Mariette dhe Carlo deri te praktikantët dhe studentët, u ngjajnë milingonave për të bërë gati aq shumë sa munden – dhe në Gjermani, kjo do të thotë, pothuajse gjithçka.

Ikën arinjtë me gëzof – do të vijnë arinjtë prej metali. Mirë se vini, dhe mirë ardhshin të gjithë që në çfarëdo roli marrin pjesë në këtë festival të superlativeve.

Silke Liria Blumbach

Foto: LiriArt

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu