Kur të shpëton një gjuhë që nuk ekziston: Mësime të persishtes

0
51
Nahuel Pérez Biscayart, Lars Eidinger - © HYPE FILM

Kush beson ende sot atë që tha filozofi Theodor Adorno, se pas Holokaustit, të shkruash poezi është banale? Ose, në përgjithësi, artit nuk i mbetet gjë përveç heshtjes përballë vrasjes masive të ebrenjve nga regjimi nacionalsocialist? Tendencat e fundit brengosëse të mohimit ose minimizimit të Shoah-ut (siç e quajnë ebrenjtë), nga partia e së djathtës ekstreme “Alternativa për Gjermani” deri te pjesët gjithnjë e më të mëdha të popullsisë në Gjermani dhe gjetiu, apelojnë për ndërgjegjjen tone historike ta mbajmë gjallë kujtesën. Të mos përsëritet kurrë më. Po duke pasur parasysh shpejt nuk do të ketë më dëshmitarë të drejtpërdrejtë, ky mision nuk i përket vetëm politikës, por edhe artit. Sidomos artit me potencialin e tij emocional.

Pasi para viteve regjisori i filmit dokumentar nëntëorësh “Shoah”, Claude Lanzmann, u shpërblye në Berlinale me një ari të artë nderi për veprën jetësore, sivjet, në 70 vjetorin e çlirimit të Auschwitz-it, vetëkuptohet se filma për këtë periudhë të errët nuk duhet të mungojnë. Rubrika klasike paraqet dy nga filmat më të hershme për Shoah-un nga vitet 1948 dhe 1949, njërin çek dhe tjetrin polak. Ndërsa vepra e re “Mësime të persishtes” (Persian Lessons) nga regjisori rus Vadim Perelman mbase di të bëjë për veten edhe një audiencë e cila ndihet që i ekspozohet tepër me kësaj teme historike – dhe kjo falë një ideje të jashtëzakonshme.

Thuhet që tregimi mbi të cilin bazohet filma ka si bërthamë një ngjarje të vërtetë, njërin nga shumë shembuj (që nga Odhiseja e lashtë) se si me inteligjencë dhe fantazi dhe pak dinakëri mund të shpëtosh edhe nga rreziqet më të mëdha. Këtu, ebreu i ri belg Gilles (i luajtur nga argjentinasi Nahuel Pérez Biscayart) bie në kthetrat e nazistëve dhe futet në një transport drejt një kamp përqëndrimi. Gjatë rrugës shkëmben sanduiçin e tij me librin e vjetër të një viktime tjetër të uritur – një libër në persisht. Ky, si shkëndijë frymëzimi, ia jep protagonistit konceptin për strategjinë e tij të mbijetesës.

Pretendon të mos jetë çifut, por persan. Për rastësi, njëri nga oficerët gjermanë, Klaus (aktori gjerman Lars Eidinger), synon të vendoset pas luftës në Persi, ku e ka vëllanë, dhe të hapë një restaurant. Nga Gilles, jo, nga Reza pret të mësojë këtë gjuhë deri në fund të luftës. Rezës së zënë në graçkë nuk i mbetet gjë përveç t’ia plotësojë dëshirën për ta shpëtuar lëkurën. Dhe ngaqë nuk flet persisht fare, duhet të shpikë një gjuhë dhe, gjë që është sfida më e madhe, të mbajë mend mijëra fjalët që ia meson oficerit.

Nga pikëpamja gjuhësore, kjo pseudo-persishte nuk është as lakuese, as aglutinuese. Kjo do të thotë që fjalët as nuk ndërrojnë formën në varësi të funksionit, as nuk ngjiten bashkë për të formuar fjalë më të mëdha. Gramatikalisht, pseudo-persishtja e Gilles-it / Rezës i ngjan kinezishtes. Vështirësia, edhe për nxënësin edhe për mësuesin, ndodhet te fjalori. Përkundër persishtes reale, kjo gjuhë artificiale nuk ka fjalorin tipik indoevropian, nuk i ngjan asnjë gjuhe tjetër.

Po si të hartosh dhe të mbash mend një fjalor të tillë plotësisht të ri, me mijëra fjalë? Gilles-it / Rezës i vjen ideja shpëtuese kur detyrohet të kopiojë listën e të burgosurve në kamp. Nga secili emër nxjerr tri, katër, pesë shkronja, hera-here shton ndonjë tingull të rëndë, dhe fjala e re është gati.

Plani i tij pothuajse zbulohet kur jep të njëjtën fjalë për „pemë“ dhe për „bukë“. Oficeri e kap Gilles-in / Rezën me të rrahura dhe vetëm bindet përsëri se ai paska treguar të vërtetën kur gjoja persani, gati i pavetëdijshëm në spital, belbëzon në gjoja gjuhën farsi. Megjithatë, çdo ditë mundohet nga frika, deri në çlirimin e kampit të përqëndrimit, ku vetë Klaus ia shpëton jetën përfundimisht.

Ky nazist tani përpiqet të realizojë ëndrrën e vet për t’u shpërngulur për në Iran – duke përdorur, për të mos u dalluar si gjerman, pasaportën e Gilles-it – dhe ballafaqohet me tmerrin që askush nuk kupton bërbëlitjen e rrjedhshëm që flet, ndaj arrestohet nga policia. Kurse Gilles-i, i pyetur nga aleatët çlirues për emrat e viktimave, i befason të gjithë duke recituar me lotë qindra, mijëra emra. Kujtesa që e ndihmoi për të mbijetuar i shërben tani njerëzimit për të mos harruar emrat, këto fjalë aq të rëndësishme që e dallojnë njeriun…

Silke Liria Blumbach

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu