Letër protestuese Klubi i Intelektualëve Universitarë të Rugovës

0
672

Klubi i Intelektualëve Universitarë të Rugovës
Pejë, më 17.2.20108

Me nismën e Këshillit Drejtues të Klubit të Intelektualëve Universitarë të Rugovës: prof. dr. Riza Smaka, prof. dr. Mujë Rugova, prof. dr. Ali Muriqi, prof. dr. Zymer Neziri, prof. dr. Shemsedin Dreshaj, prof. dr. Hysen Lajçi, prof. dr. Jeton Kelmendi, si dhe me pjesëmarrjen e Forumit të Intelektualëve Universitarë të Rugovës: Ali Lajçi, nënkryetar, të kryetarit të bashkësisë territoriale nga Rugova: Rexhep Kurbogaj, BT II, të përfaqësuesve nga ana e sipërme e Rrafshit të Dukagjinit, Komuna e Deçanit: Rasim Mulaj e Hysen Balaj, Komuna e Burimit: Bajram Binaku, të përfaqësueve të partive politike: Bashkim Lajçi (VV, Pejë), Blerim Rexhëbogaj (LDK, Rugovë,I), Ali Ibërdemaj (AAK, Rugovë), Agim Nikçi (LDK, Rrokaqielli, Pejë), si dhe të qytetarëve nga Peja, Rugova dhe nga Rr. i Dukagjinit, të zonës kufitare me Malin e Zi, në takimin e mbajtur në Pejë, më 17.2.2018, lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, njëzëri u hartua kjo

Letër protestuese

Konsiderojmë se Deklarata, e nënshkruar nga dy presidentët, i Malit të Zi dhe i Republikës së Kosovës, z. Filip Vujanoviq dhe z. Hashim Thaçi, më 16.2.2018, nuk është marrëveshje me vlerë të besueshme, sepse nuk është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi dhe nuk ka garanci ndërkombëtare, prandaj ajo nuk ka vlerë juridike, dhe këtë duhet ta kenë parasysh deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Konsiderojmë se duhet të përsërtitet fakti se Raporti i ish-Komisionit Shtetëror, të kryesuar nga prof. Murat Meha, është kundërshtuar nga disa qindra mijëra qytetarë të Kosovës, me protesta, demonstrata e peticione, se Kosova humb territor, dhe këtë duhet ta kenë parasysh deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Konsiderojmë se Raporti i Komisionit Shteteror, i kryesuar nga prof. Shpejtim Bulliqi, është dashur të rishqyrtohet hollësisht, të pranohen gjetjet që janë në kundërshtim me Raportin e ish- Komisionit Shtetëror, të kryesuar nga prof. Murat Meha, si dhe të rishqyrtohet hollësisht Marrëveshja e nënshkruar në Vjenë, më 26.8.2015, se Kosova humb territor, dhe këto duhet t’i kenë parasysh deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Prandaj, lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, njëzëri u konstatua edhe sot se Kosova humb territor nëse Kuvendi i Kosovës e miraton Projektligjin e Marrëveshjes së nënshkruar në Vjenë, më 26 gusht 2015.

Me respekt,
Kryesia e Klubit të Intelektualëve Universitarë të Rugovës

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu