Malmkrog: Tri orë filozofie

0
46
© Mandragora

Isha e paralajmëruar. Ky film ishte i klasifikuar për moshën 18+. Një klasifikim i tillë, nganjëherë edhe 16+, zakonisht tregon që filmi në fjalë jo vetëm nuk këshillohet për rininë, por që edhe „nuk është për mua“. I urrej filmat e quajtur “për të rriturit”, me mbidoza brutaliteti dhe seksi të hapur.

Për befasinë time, “Malmkrog”, filmi më se tri orë i gjatë nga regjisori rumun Cristi Puiu, nuk ishte aspak i tillë. Shpirtrat rinorë nuk mbingarkohen nga pikturimi i humnerave njerëzore, por nga diskursi.

Tri orë filozofie.

Tri orë plot biseda filozofike dhe teologjike nga niveli tejet i lartë. Argumentet janë të thella; logjika është prerëse si shpatë. Militarizmi dhe pacifizmi, Perëndia dhe djalli, lufta dhe paqja, Europa dhe Azia me Rusinë në mes, Krishti dhe antikrishti, idealizmi dhe pragmatizmi, dhe, prapë e prapë dhe para së gjithash, e mira dhe e keqja.

Protagonistët janë idetë. Njerëzit janë vetëm mbartësit e tyre. Quhen, ndoshta rastësisht, ndoshta jo, Olga, Ingrida, Madeleine, István, Edouard dhe Nikolai. Ky i fundit i ka ftuar shokët në një pallat çifligari e tij në Malmkrog, që është një qytet në Transsilvani, Rumaninë e sotme, ku kryqëzohen kultura hungareze dhe ajo gjermane. Ndërsa korniza e filmit është ajo e Rusisë pararevolucionare në tabllo plot atmosferë. Se kjo ishte bota e Vladimir Solovjov-it, i cili në kohën e tij konsiderohej një nga filozofët më të mëdhenj rusë dhe nga pena e të cilit vijnë “Tri biseda”, baza letrare e këtij filmi.

Qofshin më këmbë ose të ulur, shokët nuk veprojnë, por diskutojnë. Ata i përkasin sferës së ideve, kurse me gjërat e domosdoshme të sferës materiale i lidhin shërbëtorët. Janë ata që lëvizen dhe veprojnë. Me një radikalizëm koncptual, mënyra e ekzistencës varet nga klasa.

Kripa e anës auditive të filmit është larmia gjuhësore: Në frëngjisht zhvillohen diskutimet e sofistikuara teologjiko-filozofike, sepse është gjuha e aristokracisë dhe ideve të larta. Hungarishtja është gjuha e shërbëtorëve si dhe të të vetmit shok i cili, për arsye shëndetësore, as diskuton as nuk vepron, por mezi vegjeton. Hera-here dëgjohen fjali në gjermanisht, nganjëherë në pëshpërim sekret, nganjëherë për të lehtësuar atmosferën, si shaka.

Ky film i parë i “konkursit të dytë” të Berlinales është shembull i shkëlqyeshëm për konceptin e seksionit “Encounters” për të sjellë në ekran vepra më novatore, të jashtëzakonshme deri në provokim. Edhe ky film i shpërthen zakonet e shikimit dhe stërmundon nervat e shumë shikuese. Disa prej tyre dalin nga kinemaja para kohës, të tjerë bien në gjumë. Ka kush thotë: „Filmi nuk është mediumi adekuat për një traktat filozofik.“ Mirëpo, pikërisht në këtë tejkalim të konvencioneve pamore ndodhet provokimi i këtij filmi. Nuk është një provokim nga e poshtmja me anë të prirjeve më të ulëta dhe errëta të njeriut, por përkundrazi, një provokim na e sipërmja me anë të zhbërthimit sa më të saktë të vizioneve të larta –  të përpjekjeve të njerëzve për një jetë sa më të ndritshme dhe kuptimplotë, baza e së cilës përputhet me arsyen.

Le të ketë më shumë provokime të tilla.

Silke Liria Blumbach

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu