Mirë se vini në Çeçeni – përderisa nuk jeni homoseksual

0
65
© Public Square Films

Bie zilja e telefonit të David Isteev-it, një aktivisti për të drejtat e njerëzve me orientime seksuale minoritare nga organizata „Rrjeti rus LGBT“ në Moskë. Në aparat është një vajzë e trembur, Anja, e cila tregon se, ngaqë është lezbike, jeta e saj është në rrezik dhe, më tej, i ati ka një pozitë të lartë në politikë, gjë që i jep shumë mundësi për ta gjetur. Davidi dhe kolegia e tij Olga Baranova i bien drejt e drejt. Në mënyrë konspirative organizojnë ikjen e Anjës nga Çeçenia për në Moskë. Atje kanë një strehim për homoseksualët nga kjo republikë e vogël autonome e Federatës Ruse, e cila nga terreni i një lufte të përgjakshme është shndërruar në një diktaturë me pëlqimin e Putinit. Anjës i mbeten vetëm pak orë derisa të zbulohet zhdukja e saj dhe të njoftohen autoritetet.

Pas disa udhëtimeve me makinë, ndërrimi i rrobave dhe një fluturimi arrin në një shtëpi të kuqe diku në Moskë. Kjo shtëpi me mobilje të vjetra rrezaton rehat dhe ngrohtësi. Në mes të shokëve të fatit dhe aktivistëve, Anja informohet për rregullat e sigurisë. Celulari i saj bashkë me çipin shkatërrohet për të pamundësuar gjetjen e saj me anë të teknologjisë GPS. Në asnjë rast nuk duhet të dalë jashtë. „Ka njerëz që u vranë kur ishin duke çuar mbeturinat jashtë.“

Një i sapoarritur është edhe i riu “Grisha”. Edhe pse nuk është çeçen, vetëm punon në Çeçeni, police çeçenë e kishin burgosur dhe torturuar rëndë për 12 ditë me radhë. Pastaj e liruant, por tani ka frikë se do të përpiqen ta asgjësojnë këtë dëshmitar. Për gëzimin e tij të madh, vjen edhe shoku i tij, po ashtu një djalë i qetë, i butë, me të cilin është bashkë prej dhjetë viteve. Më në fund sillet familja e tij gjithashtu e rrezikuar. Në fillim e patën vështirë ta pranonin veçorinë e djalit, por janë bërë tolerantë dhe mbështetës.

Ky është një përjashtim e madh sepse rreziku i dytë për çeçenët janë vetë familjet. Në kulturën e tyre patriarkale e shohin nderin familjar të ndotur kur një anëtar i familjes është homoseksual. Ndaj policët shpesh ia dorëzojnë viktimën familjes duke thënë se ata vetë dinë se çfarë të bëjnë me të. Nënkuptohet që ta vrasin.

Kështu 40.000 homoseksualë çeçenë jetojnë momentalisht të fshehur, së paku 27 u vranë. David dhe Olga janë të mbytur deri në fyt me punë për të organizuar transporte – edhe jashtë Rusisë –, strehë dhe ushqim. Dhe kërkesa për azil, të cilat fatkeqësisht në shumicën e rasteve janë të pasuksesshme. Anja pothuajse çmendet pas gjashtë muajve në izolim. Në punën e tyre altruiste dhe guximtare mbështeten financiarisht dhe logjistikisht nga organizata LGBT nga gjithë bota. Më në fund, edhe Olga është e detyruar të marrë arratinë për ta vazhduar angazhimin nga një vend i sigurtë.

Përpjekjet për të kërkuar ndihmë gjyqësore në Moskë dështojnë sepse akuza as nuk pranohet në gjyq. Gjithsesi ky është momenti kur „Grisha“ del nga anonimiteti dhe tani e tutje tregohet në film me fytyrën e vet dhe emrin e tij të vërtetë: Maksim Lapunov. Tani e ka thirrur Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Se duhet t’i vihet fund fushatës vrasëse të kryetarit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, kundër homoseksualëve, dhe qarqet e Putin-it duhet të ballafaqohen me përgjegjësinë për bashkëfajësinë e tyre.

Gjatë bërjes së filmit „Welcome to Chechnya” nga regjisori David France u zbatuan masat më rigoroze të sigurisë. Asgjë nuk u transmetua nëpërmjet internetit; kompjuterat me të cilët punohej nuk ishin të kyçur asnjëherë me internetin; në dhomën ku gjendeshin nuk lejoheshin as celularë, as mjete të tjera që mund të inçizojnë dhe transmetojnë zëra, si Alexa dhe Siri. Ndërsa anonimiteti i viktimave sigurohej me anë të teknologjisë më moderne: Aktivistë nga Nju Jorku ua jepnin fytyrat e tyre, të cilat, pasi u filmuan, u bashkuan me trupat e të filmuarve në Rusi. Cilësia e rezultatit është e çuditshme, asnjë person në film nuk duket artificial ose i përbërë nga dy njerëz të ndryshëm.

Pas shfaqjes së filmit – i cili ka fituar dy çmime të merituara, Çmimin e filmit nga Amnesty International si dhe Çmimin e publikut për filmin dokumentar nga seksioni „Panorama“ – dalin në skenë regjisorët, Maksimi, shoku i tij dhe, në karrige me rrota, nëna e Maksimit. Të dy djemtë, nën duartrokitjet e shikuesve në sallë, shpallin lajmin se së shpejti do të martohen. Ndërsa mamaja tregon për një hall tjetër të familjes: vajza e saj vuan nga kanceri. Për fat të mirë, në vendin ku gjenden tani, mund të sigurohet edhe ndihma e përshtatshme mjekësore.

Mbetet për të shpresuar që njerëz si Anja dhe Maksimi të mos përndiqen dhe kërcënohen më në asnjë vend, që të zbatohen kudo të drejtat e njeriut dhe të përhapet e shumëcituar tolerancë. Se nuk i bëjnë dëm askujt, dhe fundmë, ajo që llogaritet është dashuria.

Silke Liria Blumbach

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu