Intervistë me Ramiz Kelmendin, Shkrimtarin, gazetarin dhe veprimtarin
Intervistë e realizuar nga Shaqir Foniqi
Ramiz Kelmendi u lind më 20 dhjetor 1930 në Pejë. Shkollën fillore dhe semimaturën i kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Mesme Bujqësore në Prishtinë. Studimet universitare, Dega Gjuhë e Letërsi shqiptare i mbaroi në Beograd, ndërsa magjistroi në Prishtinë, me temën “Tregimi ynë humoristiko-satirik”. Ishte shumë vjet reporter i “Rilindjes”, redaktor i “Zërit të rinise”, kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve të “Rilindjes”, drejtor i Teatrit Krahinor të Kosovës dhe, më së fundi, themelues dhe drejtues i Fakultetit të Gazetarisë “Faik Konica”, 12 vjet me radhë.
Ramiz Kelmendi ka shkruar: romane, tregime, novela, radiodrama, fejtone, drama, udhëpërshkrime, kritikë letrare, etj.
Ramiz Kelmendi me miq
Z. Ramiz, kohëve të fundit ju prezantojnë si “Babai i Migjenit”. A ka xhelozi në këtë rast?
Kelmendi: Jo, assesi. As ka dhe as mund të ketë xhelozi midis babës e birit. Përkundrazi. Unë e mbaj për nder emrin e tij dhe mburrem me të. Më shumë më gëzojnë sukseset e tij se – të miat.
Megjithatë, ende mbani emrin e të parit të familjes gazetare Kelmendi…
Kelmendi: Edhe mua më duhet të mendohem. Po, jam unë “veterinari” (lexo: veterani); Qazimi ishte vëllai im, Migjeni është djali im, Nahirja është vajzë e vëllait tim më të madh, Adriatiku është djalë i vëllait tim më të vogël, Sara dhe Tefta janë bijat e Migjenit, Lumira dhe Arbëresha janë bijat e Qazimit…”Doni më për Belulin?”
Në gazetari, siç shihet, keni shumë trashëgimtarë, po në letërsi?
Kelmendi: Pse, a ju duket pak – Migjeni?
“Kur kositen livadhet”, “Fytyra dhe turinj, “Letra nga Ulqini”, “Ahmet Koshutani”, etj.etj, janë vetëm disa nga veprat tuaja ku keni përdorur satirën më të hollë për të përqeshur veset e njerëzve.
Kelmendi: E ç’do të duhej të thoja më shumë nga ç’kam shkruar?
Jeni edhe shkrimtar që keni detabuizuar dashurinë në krijimtarinë tonë. Për ju femra del hyjnore?
Kelmendi: Pse, se mos jam unë i pari “detabuizator” i dashurisë në letrat shqipe?!
Flitet për ju si “aventurier”, ndaj dhe thonë se proza juaj është (edhe) pak erotike. Po ju ç’mendim keni për “insinuata” si kjo?
Kelmendi: Mos, vallë, pandeh se do t’i bie mohit. Apo, edhe më zi, se i kam për “turp e marre”?! Jo, assesi. Pse? Sepse unë, gjithë këtë jetën time të lume, s’bëra tjetër pos dashurova – dashurinë!
Për ca “moralistë”, ju jeni mëkatarë. Është kjo xhelozi e tyre, apo veti jona për përbaltje?
Kelmendi: “Fali, Zot, se s’dinë ç’bëjnë”.
Jeni 80 vjeç dhe ende mbaheni dhe dukeni “cool’. Si shpjegohet. Mos edhe këtu e ka “fajin” dashuria?
Kelmendi: Oua, sa shumë do e lakmoja këtë “faj”!!!
Peja, më në fund, ju nderoi me mirënjohje. U pejanizuat sërish?
Kelmendi: Unë pejan isha dhe mbeta pejan për jetë të jetëve, edhe kur u – “ç’pejanizova”.
Çka çmojnë femrat tek meshkujt?
Kelmendi: Para së gjithash të mos jenë – femra.
Omar Khajami, tek “Rubairat”, thotë se asnjë ditë nuk dëshiron t’i kalojë “pa kupa e pa çupa?”. Po Ju?
Kelmendi: Ja që unë do pajtohesha të më kalojë dita edhe pa – kupa…
Din Mehmeti shprehet se “rrudhat në ballë nuk mund t’i fsheh, por rrudhat në zemër nuk i pranoj kurrë”.
Kelmendi: Do dinmehmetosesha edhe unë me këtë varg të tij.
A ju ka dalë “kapuç me mëngë” dashuria?
Kelmendi: Kapuç, po, gjithsesi. Por – mëngë.
Na thuani sinqerisht, a ju kanë dashur më shumë juve femrat, apo ju ato?
Kelmendi: Po dashuria është dashuri vetëm po të jetë e ndërsjellë dhe e sinqertë.
Mesazhi juaj për lexuesit…?
Kelmendi: Dashuro(hu)ni, dashuro(hu)ni, dashuro(hu)ni. Ndërsjellisht dhe sinqerisht.