”Refleksion rreth aforizmave të librit” Mursel Murseli

0
1378

 

”Refleksion rreth aforizmave të librit”

Mursel Murseli

Kur e mora në dorëshkrim këtë libër dhe i lexova në disa faqe, përciptazi disa thënie, aty më shkoi mendja ta titulloj kështu recensionin tim. Autori që vjen nga mërgata, shpalos kujtimet e veta që nga fëmijëria e hershme e deri në ditët e sotme. Libri fillon me një lloj autobiografie personale dhe me një biografi familjare. Që në fillim lexohet dhembja dhe malli për atdheun e braktisur pa dëshirën e tij, mirëpo shumë shpejt vërehet edhe krenaria e tij për fëmijët me të cilët është i kënaqur e posaçërisht me mosasimilimin e tyre. Autori jep që nga fillimi mesazhe, duke filluar që nga tre fëmijët e tij: Atdhetarin, Sovranen dhe Etnikun. Mbresëlënëse është thënia: “Sa janë të vegjël, fëmijëve duhet t’u ndihmojmë që të lëshojnë rrënjë, ndërsa kur të rriten, duhet t’u ndihmojmë që të marrin krahë“. Me këtë thënie autori fuqizon dashurinë dhe kujdesin prindëror deri në piedestal, do të thotë se prindi është përkrahës i devotshëm i fëmijëve të vet. Mursel Murseli nuk e anashkalon aspak folklorin tonë popullor, por përkundrazi, e madhëron atë duke dashur që para botës t’i dëshmojë mençuritë e urtakëve tanë nëpër oda. Gjuha e këtyre fjalëve të urta vjen origjinale në libër, në mënyrë që të mos e humbasin efektin e tyre gjatë shekujve. Dhe, kjo është gjurmë mbi gjurmë. Autori nis me urtakët tanë të letërsisë popullore, ku përmend edhe baba Shabiun, babain e tij si urtak, odën e tyre dhe virtytet që ia mësoi babai i tij. Autori pastaj hyn edhe në letërsinë tonë artistike duke i treguar thëniet, aforizmat e dijetarëve të spikatur të letërsisë sonë artistike: Sami Frashërin, Kadarenë me bashkëshorten e tij Helenën, Konicën, Jakov Xoxën, Ibrahim Rugovën e shumë të tjerë. Murseli gjurmon edhe në letërsinë botërore duke mbledhur thënie nga dijetarë të shquar dhe me një mprehtësi të hollë mendore, lapsin e drejton aty ku nxorri mesazhe relevante për shoqërinë. Unë nxorra një nga ata dhe e citova këtu: “Nëse ke vendosur ta thuash të vërtetën, lëre elegancën te rrobaqepësi “- Ajnshtajn. Libri ka përplot thënie edhe nga autori për të cilat motivohet nga e hidhura dhe e ëmbla jetësore e tij. Edhe këtu e citoj njërën nga thëniet e autorit: “Intersxhinjtë mund ta zgjasin shoqërinë e miqësinë mes veti, vetëm sa u zgjat interesi negativ”. Tematika e librit është e larmishme dhe e ndarë në disa kapituj si: Mirësia, drejtësia, modestia, vullneti, ndërgjegjja dhe disa të tjera të cilat sjellin dëshminë për vullnetin e autorit që ky libër të jetë një mësim me plot mesazhe, duke filluar që nga fëmijët e deri te të moshuarit. Atdheun e përmend në thëniet e tij me adhurim, por njëkohësisht i falënderohet edhe vendit që e pranoi për strehim dhe ua mundësoi vetë autorit dhe fëmijëve të tij shtegun deri te sukseset e mëdha. Murseli nëpër thëniet e tij fokuson mirësjelljen, mirënohjen si virtyte të larta njerëzore. Çdokund në këtë libër mbretëron mendimi pozitiv dhe përpjekja për evitimet e dukurive negative të cilat për fat të keq e kanë kapluar një pjesë të shoqërisë sonë. Autori, edhe pse shumë herët mori rrugën e mërgimit, në shkrimet e tij vërehet një gjuhë e pastër dhe e pasur, madje përplot figura letrare, që nga metafora, krahasimi dhe antiteza, të cilat edhe dominojnë në këtë libër. Nuk më mbetet të them gjë më tepër sepse u mundova në pika të shkurtra ta jap një refleksion rreth këtij libri, përveç që autorit t’i uroj shumë suksese dhe shumë libra të tjerë në dritë. Flora Idriz Peci

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu