Curveball ose prapaskenat e politikës së luftës

0
51
Dar Salim © Sten Mende

Shumë njerëz dinë që lufta e dytë e SHBA-ve kundër Irakut u zhvillua mbi një argument të rrejshëm, dmth. prodhimi i armëve të asgjësimit masiv në Irakun e Saddam Hussein-it. Dihet që kjo akuzë më vonë u provua e pabazë – por kush e njeh historinë që gjendet prapa kësaj çështjeje?

Këtë histori e tregon regjisori gjerman Johannes Nader në filmin e tij „Curveball“. Është një film artistik i bazuar mbi fakte reale, me shtime fiktive, dekorime që jo në të gjitha raste janë zbukurime.

Në qendër të filmit gjendet shkencëtari Wolf (domëthënia e mbiemrit: ujk, aktori: Sebastian Blomberg), ekspert për armë biologjike, i cili sapo kthehet nga Iraku, nga misioni i pasuksesshëm i OKB-së për të gjetur armë të tilla për asgjësim masiv. Punon për shërbimin sekret gjerman BND (Bundesnachrichtendienst, Shërbimi Federal i Inteligjencës), ka një dashnore nga CIA-ja (Virginia Kull) dhe dëshiron të kthehet në Irak.

Gjërat nisin të lëvizin kur një azilkërkues irakian, Rafid Alwan (Dar Salim), pretendon që ka punuar si inxhinier në programin e prodhimit të anthraksit, këtij virusi vrasës plasjeje i cili mund të përdoret si armë e rrezikshme lufte. Edhe pse Wolf di më shumë për biologjinë sesa për procedurat e shërbimeve sekrete, urdhërohet nga shefi i tij Schatz (domëthënia e mbiemrit: thesar, aktori: Thorsten Merten) të kujdeset për informuesin e ri dhe ta marrë në pyetje. Gjithsesi Alwan, të cilit i jepet nofka „Curveball“, informatat i lë të paguhen shtrenjtë. Duke pirë një Koka-Kolë pas tjetrës – mund të supozohet cila firmë ka kontribuar për financimin e filmit –, kërkon mbrojtje nga shërbimi sekret irakian dhe një banesë për veten në vend të shtratit në qendrën e azilkërkuesve. Ndërsa për detajet kryesore nuk kërkon asgjë më pak sesa një pasaportë gjermane.

Sekreti qenka që OKB-ja nuk gjeti dot asnjë gjurmë sepse impiantet për prodhimin e viruseve ishin mobile dhe gjendeshin mbi kamione të cilat qarkulloheshin nëpër vendin. Njerëzit e BND-së janë të entuziazmuar se më një fund janë një hap përpara rivales së vjetër CIA. Edhe politikanëve të lartë u hyn shumë mirë në punë, duke përfshirë kancelarin Gerhard Schröder.

Mirëpo, eprori Schatz zbulon që Wolf vetë kishte zhvilluar në raportin e vet hipotezën e fabrikave kimike mobile mbi kamiona, ndërsa agjentët e BND-së e gjejnë mu këtë raport në banesën e re të irakianit. As nuk është më e nevojshme që ai pranon që e ka shpikur këtë histori. Përveç kësaj, testi i gjakut të tij për antitrupat kundër anthraksit si provë ekspozimi doli negativ. Si pasojë, Wolf largohet nga puna dhe supozon që informuesi dhe informatat e tij janë „djegur“.

Ndodh 11 shtatori 2001, shkatërrimi i Kullave Binjake, dhe njëherësh rrathët e Dick Cheney-t në SHBA kërkojnë një arsyetim për të bërë luftë kundër Irakut. Për habi të madhe, Wolf mëson që Alwan ka marrë pasaportën gjermane, Schatz ka një pozitë të lartë politike dhe Leslie, ish-dashnorja nga CIA-ja, i tregon që nuk pati asnjë urdhër për mospërdorim të informatave të Alwan-it. Kur ky e viziton shokun e tij Wolf për Vitin e Ri, rrëmbehet nga CIA-ja, e cila dëshiron një deklarim të inxinierit për njësitë mobile të prodhimit të armëve biologjike në televizionin amerikan. Wolf, pasi zbulon që rrëmbyesja paska qenë Leslie, e shpëton Alwan-in në një rrëshqitje qesharake me slitë.

Gjithsesi, lufta kundër Irakut mund të fillojë, e bazuar mbi një gënjeshtër e cila dihet që është gënjeshtër.

Një nga frymëzimet e „Curveball”-it ka qenë filmi “Wag the Dog”. Këtu shpiket për qëllime politike një luftë pikërisht në Shqipëri dhe fabrikohen të gjitha faktet për të. Por, siç thotë regjisori: “Është dallim i madh të tregosh për një luftë fiktive ose një luftë reale.”

Tema e gënjeshtrave dhe intrigave mashtruese në politikë është aq e vjetër sa vetë politika, por në kohët e sotshme, me gati normalizimin e të ashtuquajturve „Fake News“, është më aktual se kurrë. Wolf, mbrojtësi i së vërtetës, refuzon mitosjen nga ana e Schatz-it, kurse Leslie thotë: „E vërteta nuk është e rëndësishme. Drejtësia është.“ Por sa e drejtë qenka një drejtësi e cila nuk përfshin edhe të vërtetën?

Silke Liria Blumbach

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu