Gunda: Parajsa e kafshëve

0
132
© Egil Håskjold Larsen/Sant & Usant

Derrkuci i vogël është i sapolindur, ende është i njomë në kuptim të mirëfilltë të fjalës, por sa energji paska! Me vrull shtyhet përpara, i ngjitet malit të vëllezërve, rrëshqitet poshtë, mundohet përsëri, derisa arrin sisën e nënës, nga barku i së cilës njëmbëdhjetë derrkuca thithin dozën e tyre të qumështit. Më në fund dosa është e lodhur, çohet në këmbë dhe del nga stalla e derrave përjashta. Një kafshë vigane është , mund ta quash madhështore. Emrin e ka Gunda, tamam si ky film i qetë bardhë-e-zi nga regjisori rus Victor Kossakovsky.

Tani familja e derrave do të dalë për shëtitje. Të befason se sa shpejt dine të vrapojnë fëmijët! Me gjasë të befason së paku kur jeton në perëndim sepse këtu bujqësia është e industrializuar dhe e racionalizuar. Kështu ka fëmijë që nuk dinë që vezët vijnë nga pula dhe qumështi nga lopa, dhe që lopët nuk janë ngjyrë vjollce si në reklamë çokollate. Dhe me gjithë përpjekjet e shoqatave që angazhohen për të drejtat e tyre, shumica e kafshëve që rriten për konsum të tyre ose të produkteve të tyre, janë të burgosur me jetë të shkurtër dhe torture të përjetshme.

Ferma e filmuar nga njerëzit e Kossakovsky-t duket si parajsa e kafshëve. Në fakt xhirimet magjepsëse, pa muzikë shoqëruese dhe pa zë shpjegues, por me një bukuri prekëse dhe nganjëherë gati mbinatyrore, u bënë në tri ndërmarrje bujqësore në Norvegji.

Pas derrave, skena është e hapur për një grup pulash, të cilat kanë ardhur në një kafaz prej plastmasi dhe, sa duket, po çlirohen. Të frikshëm janë në fillim, vetëm disa guzojnë të dalin. Ende nuk janë mësuar me dheun e butë të pyllit, kështu që çdo hap e hedhin dalëngadalë dhe më shumë kujdes. Derisa kureshtja të fitojë epërsi dhe një gjel njëkëmbësh kërcen nëpër botën e re.

Pas vrapit të derrkucave na çudit galopimi i lopëve. Ku dhe kur, në ndërmarrjet moderne bujqësore, që më shumë janë kampe përqëndrimi për kafshët, lopët kanë ende mundësinë për të vrapuar? Për të shprehur gjithë atë që kanë brenda vetes? Njëkohësisht të habit shumëtrajtshmëria e kafshëve, që ofrojnë më shumë pamje sesa ato konvencionale që njohim nga vizatimet, dhe shprehjet e tyre zanore po ashtu dallohen nga fjalët dhe këngët tona.

Mirëpo, ky film i mrekullueshëm mbaron tragjikisht. Një ditë vjen një traktor-kamion dhe pas pak dëgjohen nga brenda zërat e derrkucave. Edhe parajsa e kafshëve ka hijet e veta. E mjera Gunda, që në një çast të vetëm humb të gjithë fëmijët e saj, shkrehet në dëshpërim. Prapë e prapë nxitet nëpër fermë në kërkim të kotë të vogëlushëve të vjedhur. Kush sheh këtë dëshpërim, nuk do të mendojë kurrë më që kafshët nuk kanë shpirt (gjë që dikur edhe meshkujt mendonin për femrat) dhe nuk ndiejnë dhimbje.

Bujqësia „moderne“, e cila i trajton gjallesat vetëm si lëndë të parë prodhimi për optimizimin e fitimit, i mundon kafshët në mënyra gati të panumërta. Pulat rriten në grupe tepër të mëdha, në hapësirë tepër të vogël, në kushte në të cilat nuk mund të ushtrojnë sjelljet e tyre instinktuale, dhe nga stresi dhe ankthi, çukisin pula të tjera, nganjëherë derisa të ngordhen. Edhe lopët, që në natyrë mund të ecin dhe vrapojnë deri 40 kilometra në ditë, jetojnë në stalla tepër të vegjël dhe të parehatshme, ku lehtë u shkaktohen plaga dhe sëmundje, pa mundësi daljeje në një kullotë. Një dhimbje e madhe sidomos për nënën është ndarja e hershme nga viçi. Patjetër në fabrikat e mishit me hapësirë individuale tepër të vogël, sjellja tipike i derrave, që rrëmojnë në dhe në kërkim të ushqimit dhe freskohen në banjë balte, është e pamundur dhe dyshemeja prej betoni pa higjiene të mjaftueshme gjithashtu çon deri te sëmundje. Shkurtimi i sqepave të pulave, heqja e brinjve të lopëve dhe prerja e bishtave të derrave janë shumë të dhimbshme. As të përmenden transporti dhe therja.

Kush ka shikuar në sytë e lopëve në filmin „Gunda“, ndoshta nuk do të bëhet vegjetarian, por assesi nuk mund t‘i pranojë më kushtet e bagëtisë industriale – sepse „Gunda“ provon që kafshët janë gjallesa me vetëdijë dhe ndjenja si gëzim, dhimbje, madje dashuri dhe meritojnë respekt dhe mbrojtje.

Silke Liria Blumbach

Fotografi: © Egil Håskjold Larsen/Sant & Usant

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu