Kohë gjahu (Time to hunt): Një “boygroup” në rrugë të shtrembër

0
75
© 2020 UNION INVESTMENT PARTNERS, LITTLEBIG PICTURES, SIDUS. All Rights Reserved.

Pse më pëlqen një film që nuk duhet të më pëlqejë?

Një film xhanri, edhe më tej një film aksioni, për një grup kriminelësh që, pasi kryejnë krimin e vet, përndiqen nga një kriminel tjetër? Ku humori shprehet me dhunë verbale dhe urrejtja me dhunë fizike? Ku thyen xhamat dhe rrjedh gjak dhe jetë njeriu mbarohen para kohe? Ku armë të rënda janë objekt vaniteti në fotografi me celular? Dhe ku të katër shokët sulmin e tyre e kryejnë, po, nga dëshpërimi për gjendjen ekonomike pa rrugëdalje, por vetëm me qëllime vetjake dhe materiale, pa vetëdijësim për padrejtësitë sistemike dhe, llogjikisht, edhe pa solidarizim më të gjerë?

Cilat janë mjetet filmike dhe filmo-psikologjike që përmbysin zakonet e interpretimit dhe vlerësimit? Sigurisht, në kontekste të tjera, mjete të tilla mund të çojnë deri te manipulime më serioze…

Për të pasur një efekt të tillë, një film aksioni duhet të jetë tendosës. Thrilleri jugokorean “Kohë gjahu” nga regjisori Yoon Sung-hyun të përpin nga fillimi deri në fund. Deri në mbyllje nuk dihet se kush do të mbijetojë më në fund dhe kush do të vritet: të katër banditë të rinj që kanë sulmuar një kazino, apo agjenti që i ndjek dhe tmerron dhe që i gjen kudo… Edhe aspektet vizuale kënaqin jo vetëm adoleshentët, që duken grupi më i synuar spektatorësh, por gjithkënd që do ngjyrime me harmoni të zymta, netë të errëta dhe ditë të mjegullta të prera nga drita elektrike në ngjyra të larma. Para së gjithash, të katër shokët arrijnë të fitojnë simpatinë tone, kur në fillim na argëtojnë dhe më së voni, kur nga kriminelë të paskrupullt, përballë gjuetarit të pamësihrshëm, dridhen, qajnë dhe lypin për jetë. Dhe kush nuk mund të kuptojë dëshirën për një jetë më të mire në një vend më të bukur?

Përveç kësaj, shikuesve koreanë ofrohen disa pika të veçanta ku mund të shohin të pasqyruar vetveten, kulturën e tyre dhe politikën e vendit. E para, “boygroups”-it dominojnë kulturën popullore rinore në një përmasë që mezi përfytyrohet, dhe kush janë ata katër shokë të rinj, të qeshur, të pashëm dhe “super-cool” përveç një “gangster-boygroup”-i? E dyta, në Kore mbizotëron filozofia neokonfuciane, një shtyllë e së cilës është respekti i jashtëzakonshëm ndaj prindërve. Njëri nga protagonistët e këtij filmi shkëputet nga grupi, rrezikon dhe ndoshta humb jetën sepse ndihet i detyruar të qëndrojë pranë nënës. Dhe kur këta çuna të regjur takohen me të atin e njërit prej tyre, bëjnë një përkulje të madhe tradicionale respekti. E treta, sfondi i filmit është mjerimi ekonomik për shkak të masave të ashpra të Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjë që pasqyron një fazë të dhimbshme të historisë së fundit në Korenë reale, që përfshinte edhe protesta të përgjakshme.

Është e vështirë të përcaktosh një faktor ose edhe një grusht faktorësh si recetë për tërheqjen e filmit sepse një numër procesësh gjatë receptimit dhe përpunimit mendor dhe emocional kalojnë nën pragun e vetëdijës.

Sidoqoftë, këtu në Berlinale na lejohet të pëlqejmë edhe filma të cilët do të ndiheshim të detyruar t’i refuzojmë. Se ky është pikërisht mesazhi i drejtorit artistik të Festivalit, Carlo Chatrian: Hape veten, prit të papritshmen, tejkalo paragjykime, në çfarëdo drejtimi qoftë, dhe do të pasurohesh si kineast. Një maksimë që vlen edhe për jetën në përgjithësi: Me një qëndrim të tillë parimisht të hapur – duke mos mënjanuar mundësinë e manipulimit – zgjeron horizontin e shumëpërfolur, fiton kuptueshmëri dhe pasurohesh si njeri.

Silke Liria Blumbach

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu