Minamata: Harakiri ekologjik i Japonisë

0
109
Minami, Johnny Depp. © Larry Horricks / HanWay Films

Kur unë isha fëmijë në vitet 70, prindërit e mi kishin në raftin e tyre të librave në salllën e ndjenjës një libër me titullin „Harakiri ekologjik i Japonisë“ nga Bo Gunnarson. Ngaqë isha lexuese e shfrenuar që para shkollimit dhe edhe më shumë pastaj, librat e prindërve nuk kurseheshin nga furia ime e leximit. Ky libër me titullin misterioz më tërhoqi. Kështu mësova që në bregdetin japonez, ku shumica jetonin nga peshkimi, nga ujërat e zeza të një fabrike kimike me shumë zhivë helmoheshin së pari peshqit dhe pastaj njerëzit. Dhe ky nuk ishte i vetmi problem ekologjik nga vuante Japonia. Me „harakiri“ kuptohet një mision luftarak vetëvrasës. Japonezët, siç nënkuptohet, janë vetëvrasës me neglizhimin e mjedisit deri në shkatërrim.

Pikërisht japonezët, vetëkuptimi i të cilëve është që qenkan njëri nga popujt më të lidhur me natyrën! Na magjeps roli qëndror që natyra luan në poezinë dhe filozofinë e tyre, deri në kinematografi. Njëkohësisht duket që ata mbajnë barrën e njerëzimit për shfrytëzimin e energjisë bërthamore, qoftë në fushën ushtarake (Hiroshima), qoftë në atë civile (Fukushima).

Detajet e harruara të helmimit me zhivë më risillen në kujtesë në filmin „Mimamata“ nga Andrew Levitas. Gjejnë fuqinë prekëse në mediumin pamor dhe nëpërmjet aktrimit të aktorit të famshëm Johnny Depp. Ai është figura kryesore në këtë film, W. Eugene Smith, një fotoreporter që suksesin më të madh e pati në Luftën e Dytë Botërore, nga e cila solli mbresa të jashtme dhe të brendshme. Tani është alkoholik i thyer, i munduar çdo natë nga makthe traumatike, jeton në zhgënjim dhe izolim – derisa e gjen japonezja Aileen (e luajtur nga aktorja Minami) dhe e lut që me fotografitë e tij të tërheqë vëmendjen për katastrofën ekologjike që po zhvillohet në qytetin e saj.

Edhe vjet kishte në Berlinale një film ku një gazetar fotografik mbulon një hekatombë të injoruar nga bota: „Mr. Jones“, kryeveprën e Agnieszka Hollandës për gjenocidin-uri në Ukrainë. Gjithsesi „Minamata“ ka një fije të dytë narrative. Para syve tanë nuk shpalohet vetëm panorama e të rinjve me gishta të gjymtyar, fëmijëve të hendikepuara rëndë që nga lindja, pacientëve të spitalit me gjithë muskujt në gërç, familjeve të dëshpëruara dhe aktivistëve guximtare. Paralelisht me luftën e viktimave, që më në fund mbaron me një fitore – edhe pse vetëm të pjesshme dhe të përkohshme –, vëzhgojmë zhvillimin e protagonistit.

Mikpritja dhe ngrohtësia e nikoqirëve japonezë, por edhe disa sfida e kthejnë nga një pijanec me prirje egoiste në një njeri më njerëzor. Nga përkujdesja për një fëmijë të lindur plotësisht e paaftë dhe e shpërfytyruar nëpër zjarr në kuptim të mirëfilltë të fjalës sepse i digjet kasolla me të gjitha materialet fotografike deri në keqtrajtimin brutal nga ana e punëtorëve të sigurisë të fabrikës kimike, risillet në jetën e vërtetë, që përfshin marrëdhënie njerëzore me respekt, empati dhe përkujdesje të ndërsjelltë. Më në fund, Smith martohet me aktivisten Aileen.

Në sekuencën mbyllëse të filmit tërhiqet vëmendja për katastrofat e shumta ekologjike të shkaktuara nga industria në gjithë botën. Edhe pse nuk përmenden as ajri i Elbasanit as uji i Ballshit as dheu i Durrësit, na tregon që kudo ka Minamata. Ne të gjithë jemi Minamata. Lufta vazhdon.

Për kuriozitet, babait tim nuk i kujtohet më që ndonjëherë ka pasur një libër me titullin „Harakiri ekologjik i Japonisë“.

Silke Liria Blumbach

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu