Qeveria paralajmëron ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore

0
43

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj së bashku me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, kanë vizituar Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), ku kanë biseduar për bashkëpunimin dhe avancimin e proceseve ekonomike, me theks të veçantë për mundësitë e krijimit të vendeve të reja të punës.

Zëvendëskryeministri tha se janë të përkushtuar që të mbështesin Odën Ekonomike, duke premtuar trajtim të dinjitetshëm për bizneset vendëse.

Duke i quajtur prodhuesit vendës ambasadorë, Limaj tha se Qeveria do të jetë partnere e atyre që janë gjenerues të vendeve të reja të punës.

“Ne do të jemi afër jush për aq sa e lejon korniza ligjore dhe nëse ka ndonjë ligj që e pengon zhvillimin ekonomik ai duhet të ndryshohet. Kemi vullnet si Qeveri dhe do të bëjmë hapa konkret në këtë drejtim”, theksoi zëvendëskryeministri Limaj, duke shtuar se prioritet yni është stimulimi i prodhuesve vendorë.

Më tutje, ai tha se duhen miratuar ligje që iu përshtaten nevojave dhe interesave të vendit, duke paralajmëruar ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore, në mënyre që shteti të iu ofrojë investitorëve të huaj dhe vendorë hapësirë ku ata janë të gatshëm për të investuar dhe, kjo, sipas Limajt, është e rregulluar edhe me Ligjin për Investime Strategjike.

“Fatkeqësisht paragjykimet dhe perceptimi negativ vazhdon të jetë ndaj atyre që e kanë barrën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe në këtë drejtim duhet bashkë të angazhohemi ta ndryshojmë atë ”, tha Limaj, duke potencuar nevojën e ndërtimit të partneritetit të besimit, që nënkupton ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive për ta çuar përpara vendin.

Zëvendëskryeministri tha se biznesmenët jo vetëm që duhet ta ndjejnë veten drejtues të kompanive, por kanë edhe përgjegjësi ndaj vendit dhe janë burrështetas që ta çojnë përpara atë. Falë vizionit të tyre, theksoi Limaj, hapen vende të reja të punës, mbushet arka e shtetit dhe ngitet mirëqenia.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se është e pamundur që në shpejtësi të zgjidhen problemet e grumbulluara nga e kaluara, por me një bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë, këto probleme do të tejkalohen.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se prioritet i Ministrisë që ai drejton do të jetë punësimi i të rinjve, sidomos i atyre me arsim të lartë dhe në këtë drejtim ka kërkuar edhe përkrahjen e prodhuesve vendës.

Në këtë takim prezent ishin edhe përfaqësues të bizneseve dhe kryetarë të shoqatave të ndryshme, të cilët treguan vështirësitë me të cilat ballafaqohen.

Zëvendëskryeministri Limaj ka kërkuar nga ta që të bëjnë listën me probleme me të cilat ballafaqohen dhe bashkërisht do t’i zgjidhin ato./koha.net/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu