Të gjithë u përkulën në Prekaz, por harruan gjendjen e Kullave të Jasharajve

0
31

Në mëngjesin e sotëm krerët shtetëror e shumë qytetarë u gjendën në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Të gjithë shkuan atje për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, në 20 vjetorin e rënies. Fjalët e mëdha e të lavdishme nuk i kurseu asnjëri prej tyre. Bile, disa u ulën në gjunjë.

Mirëpo, Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, konkretisht kullat ngjallën reagime të shumta muajt e fundit. Kjo për shkak të gjendjes së rëndë të tyre dhe rrezikut që të rrëzohen për shkak të mos restaurimit dhe konservimit, shkruan ndërtimi.info.

Gjatë këtyre muajve të parë të vitit u tha shumë, e ngrit alarm serioz për ndërhyrje urgjente në këto kulla. Por në ditën më të rëndësishme, kur filloi Epopeja e UÇK-së, askush nuk e përmendi gjendjen e tyre.

Presidenti, Hashim Thaçi shkoi e u përkul para varrit të komandantit Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë të vrarëve të tjerë në 3 ditët e kobshme të marsit të vitit 1998, në Prekaz.

Ai, nuk tha asnjë fjalë për gjendjen e tanishme të Kompleksit Memorial atje.

“Jemi këtu për nderime institucionale dhe shtetërore për të vazhduar me manifestime të tjera. Sot në këtë përvjetor çdo qytetar duhet të ndihet krenar për kontributin e vet, duhet të ndihet krenar për rrugëtimin që kemi pasur por duhet të ndihet me besim të plotë dhe optimizëm për të ardhmen e sigurt të shtetit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

E, për këto dy dekada në këtë vend, që është simbol i lirisë, 12 milionë vizitorë e kanë parë për së afërmi shaktërrimin që koha po ua bën kullave, si pasojë e moskujdesit dhe papërgjegjësisë.

Përveç vizitave në Prekaz, në vazhdën e aktiviteteve për “Epopenë se UÇK-së”, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti një seancë solemne. Edhe nga këtu nuk munguan fjalët e mëdha për Familjes Jashari e të gjithë të rënët për liri, por prapë kullat nuk i zuri në gojë askush.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në seancë e përmendi investimin mbi një miliardësh në energji si dhe Trepçën, por investimi e mundshëm në Kullat e Jasharajve, që më së shumti lidhet me këto ditë të “Epopesë së UÇK-së”, nuk ishte pjesë e fjalimit të tij.

“Ne synojmë një ekonomi prosperuese, si vlerë e shtuar e demokracisë, duke shfrytëzuar racionalisht resurset natyrore që na i ka falë zoti. Investimi mbi një miliardësh në energji siguron pavarësinë energjetike të vendit, ndërsa 2018-a do të jetë Vit i Trepçës”, tha ndër të tjera kryeministri.

Ndërkaq, në muajin janar u ngrit alarm serioz për ndërhyrje urgjente në shpëtimin e kullave nga rrëzimi i tërësishëm, u kërkua përgjegjësi nga institucionet përgjegjësi për kujdesin ndaj tyre, e u tha se tash e tutje Kompleksi Memorial “Adem Jashari” do të ketë kujdesin dhe investimin e duhur. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu