Undine: Legjenda e vjetër në Berlinin e sotshëm

0
76
Paula Beer © Marco Krüger/Schramm Film

Fillon si një film i zakonshëm dashurie: Në një kafene, Johannes prish marrëdhënien me të dashurën, e cila vështirë e përmban dëshpërimin. Por nuk do të ishte një film i regjisorit të madh gjerman Christian Petzold nëse do të vazhdonte në binarët e njohur. Fillimisht Petzold trajtoi në xhirimet e tij tema historiko-sociale si terrorizëm, Gjermaninë lindore socialiste si dhe holokaustin, por gjithmonë nga një këndvështrim unik dhe nëpër personazhe të jashtëzakonshme. Në filmin e tij „Fantazma“ (Gespenster) turbullohen kufijtë midis realitetit të këtushëm dhe së andejmes. Ndërsa „Udine“ na zhyt në kuptim të mirëfilltë të fjalës në një univers ku Berlini i sotshëm përshkohet nga magjia dhe tmerri i legjendëve.

Kështu Undine, kryepersonazhi i filmit me të njëjtin emër (e luajtur mjeshtërisht nga Paula Beer), e paralajmëron ish-dashnorin pas mesazhit të ashpër: “Atëherë duhet të vdesësh. Ti e di këtë.“ Sepse, siç e përcakton legjenda, kur një i dashur e mashtron Undinen, këtë qenie mistike të ujërave, ajo duhet ta vrasë atë dhe pastaj të kthehet vetë në ujë nga ka ardhur.

Vetëm që jeta e Undines moderne duket të vazhdojë ndryshe – në drejtim të dashurisë së vërtetë. Punon si cicerone për historinë urbanistike të Berlinit, dhe filmshikuesi, pa u munduar shumë, të mësojë shumë për historinë gjeografike të kryeqytetit gjerman, emri i të cilit vjen nga një fjalë sllave për „moçal“. Atje, në sallën muzeale të maketave, e fascinon një zhytës industrial, Christoph (aktori i ri i suksesshëm Franz Rogowski) të lidhur po ashtu me ujin si mjedis të dytë jetësor. Pa dashje rrezon në një lokal një akuarium, kështu që dashuria e tyre fillon në ujë në mes të ciflave xhami, pranë figurës së një zhytësi industrial, i cili do të na shoqërojë nëpër filmin.

Kështu zhvillohet një dashuri me intensitet marramendës emocional, dhe mallkimi i legjendës së vjetër duket i tejkaluar… derisa Johannes kryqëzon rrugën e çiftit dhe Christoph, i kthyer në Gjermaninë perëndimore për punë, e merr Undinen në telefon me xhelozi, vetëm për të mos e përgjigjur telefonin më pastaj. Atëherë Undine e alarmuar merr trenin për ta takuar shokun – dhe mëson nga kolegët e tij që ai ka pësuar një aksident të tmerrshëm. Në spital, një kolege e tij i tregon Undines se Christoph gjendet në komë dhe truri i tij ka mbetur pa oksigjenë për më shumë se dhjetë minuta. Për çudi të madhe, Undine mëson që telefonata ndodhi pas aksidentit, pas humbjes së vetëdijës…

Atëherë Udine, nën goditjen e humbjes së përhershme të të dashurit, kthehet në Berlin, e mbyt Johannes-in në pishinën e hotelit ku (pasi e ftoi Udinen) ka shkuar me të dashurën e re, dhe pastaj ajo zhytet vetë në një liqen.

Në këtë çast zgjohet Christoph në spital dhe thërret emrin e Udines. Më vonë, i mbështetur mbi patarica, e kërkon Udinen kudo në Berlin – në banesë, në punë, në kafene –, nuk e gjen asgjëkundi dhe askush nuk di se ku ka mbetur.

Do t’i kishte bërë mirë filmit po të kishte mbaruar me kaq – një fund i hapur, melankolik, jo pa romantizëm.

Po ama jo. Pjesa përfundimtare e filmit paralajmërohet me textin „Dy vite më vonë“. Në konvencionet të tipit Hollywood, ky bisht paraqet mbarimin e mbare; zakonisht çifti është i martuar dhe posedon atributet e një jete të suksesshme borgjeze: shtëpi, fëmijë. Sidoqoftë, një ribashkim i Christoph-it me Undinen, edhe pse i dëshirueshëm për shumë spektatorë, do të ishte një fund tepër i thjeshtë, bajat, për një film të sofistikuar. Një fund të mbarë ka për Christoph-in, por me kolegen e tij shtatzënë, një zëvendësim tejet të shpejtë për të dashurën. Një mbarim i tillë do të ishte edhe më i mërzitshëm. Mirëpo, Christoph zhytet përsëri për herë të parë pas traumës në po atë vend ku ka pasur aksidentin. Atje, në thellësinë e ujërave, i shfaqet para syve figura e Undines, e cila ia zgjat dorën. Çaste të gjata kalojnë – por më në fund Christoph kthehet në sipërfaqe, në jetën reale, jo mitike, te nusja dhe jeta e re. Nuk është Undine që arrin ta tejkalojë mallkimin, por ai.

Aktorja Paula Beer, në konferencën e shtypit, e quajti Undinen një „vrasëse serike, e cila bredh nëpër Berlin prej më shumë se 600 viteve. Ndaj e njeh qytetin aq mirë.“ Jo vetëm Berlinin, por edhe atë që simbolizohet nga uji: sfera e pavetëdijes dhe e emocioneve, ku njerëz të pamësuar me elementin e Udines, me vetveten dhe thellësinë e ndjenjave, mund të zhyten si në një vorbull të rrezikshëm…

Silke Liria Blumbach

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu