VEPËR ME URTI TË ARTA E MENDIME TË LARTA FILOZOFIKE Nga Mehmet Halimi

0
1590

VEPËR ME URTI TË ARTA E MENDIME TË LARTA FILOZOFIKE

Mursel Murseli, MARGARITARË NGA THESARI I URTISË BOTËRORE, Prishtinë, 2018, f. 130

“Kujtesa është gjah, kurse
shkrimi është kurth”.
(Popullore)

Autori, Mursel Murseli, i hyri me dëshirë e vullnet, me gatishmëri e me përkushtim të veçantë, sajimit të kësaj vepre, që përmban në brendinë thelbësore të saj një pjesë të ajkës së urtisë e diturisë së mendimit filozofik botëror. Dhe për të ndërtuar këtë vepër, ai kërkoi e hetoi, tuboi e grumbulloi lëndë të zgjedhur si bleta që e thithë nektarin lule më lule, e cila nga hojet e veta prodhon mjaltin, ashtu edhe autori zgjodhi e përzgjodhi nga njerëz më të ditur e më të ndritur siç janë: filozofë e dijetarë, shkrimtarë e shkencëtarë, humanistë e mendimtarë, krijues popullorë e pleqnarë, atdhetarë e veprimtarë, dashamirë të popullit e pajtimtarë, këshilltarë e edukatorë popullorë, njerëz fisnikë e bujarë, elitarë të popullit e të njerëzimit etj., dhe prej tyre zgjodhi e përzgjodhi: aforizma e fjalë të urta, thënie popullore e frazeologjizma, 777 margaritarë të spikatur e të zgjedhur nga thesari i urtisë e filozofisë popullore shqiptare e të popujve tjerë të botës, që janë përcjellë si porosi gojore brez pas brezi ose janë shprehur në forma shkrimore, si porosi e këshilla, si

moto e thënie lapidare, drejtuar si mesazhe, në radhë të parë popullit të vet, e pastaj mbarë njerëzimit dhe sajoi e përpiloi, veprën në fjalë me titull: Margaritarë nga thesari i urtisë botërore. Urtia e mençuria popullore e pasuron mendimin filozofik kombëtar, duke ndërtuar tabanin e krijimtarinë mendimore të kulturës e të traditës kombëtare, ajo forcon dhe pasuron, jo vetëm diturinë dhe mendimin filozofik kombëtar të një populli, por edhe atë ndërkombëtar të mbarë shoqërisë njerëzore dhe të mendimit botëror. Secili popull e komb ka karakteristikat antropologjike, veçoritë fizike e mendore, varësisht nga relievi natyror, nga zejet e profesionet si burime jetësore, nga klima, gjuha, gjaku e besimi, nga traditat e lashtësia e tyre, ata krijojnë e sajojnë edhe mendimin e tyre filozofik për jetën, për karakterin e veprimtarinë krijuese fizike dhe të urtësisë së tyre, që dallohet për nuanca të vogla ose të mëdha nga popujt tjerë fqinjë ose të largët. Mirëpo, secila kulturë e dituri, meditim e qytetërim nuk është e mjaftueshme apo e vetëmjaftueshme për veti e në vetëvete. Ndaj, rrjedhat kulturore të popujve e kombeve të nduarnduart të rruzullit tokësor, kur ato derdhen në oqeanin mendimor të urtisë së shoqërisë të njerëzimit botëror, krijojnë dhe formësojnë: kulturën, urtinë dhe diturinë e përbashkët të njerëzimit.
Prandaj, mund të pohojmë me plot bindje se aforizmat e shënuara, të zgjedhura e të përzgjedhura nga autori, Mursel Murseli, kanë ndërplotësuar e thelluar, freskuar e pasuruar kulturën e njëri-tjetrit, kanë plotësuar e zgjeruar mendimin filozofik, duke i njoftuar popujt ndërmjetveti, ka krijuar një afri e njohuri të një urtie e kulture të përbashkët të gjinisë njerëzore.

Autori, Mursel Murseli, shquhet për dy merita të rëndësishme në formësimin e veprës në fjalë, Margaritarë nga thesari i urtisë botërore: E para, se ai ka zgjedh e përzgjedhë aforizmat e sentencat e shkruara nga dijetarë, filozofë e mendimtarë në vepra të ndryshme dhe ia ka ofruar lexuesit shqiptar, duke e pajisur dhe pasuruar atë me urtinë e diturinë e mendimtarëve botërorë; E dyta, ka përzgjedhur edhe nga shkrimtarët shqiptarë, fjalë të urta anonime shqiptare, të cilat janë ruajtur brez pas brezi deri më sot. Mirëpo, po mos t’i shënonte autori, ato mund të veniteshin e vyshkeshin, duke humbur besnikërinë autentike dhe freskinë artistike, mbase edhe do të zhdukeshin krejtësisht nga kujtesa kolektive e popullit tonë. Ndaj kjo është meritë e çmueshme e autorit që këto fjalë të urta i ka shpëtuar nga ndryshku e pluhuri i harresës dhe nga dhëmbi i zhdukjes totale të krijimtarisë sonë gojore. Prandaj, këtu vlen të veçojmë mendimin filozofik popullor se “Kujtesa është gjah, kurse shkrimi është kurth”, ashtu siç e zë kurthi gjahun e nuk e lëshon të ik dot, po ashtu edhe shkrimi e përjetëson kujtesën. Pra, shkrimi i autorit i ka përjetësuar mendimet e arta dhe urtinë filozofike të popullit tonë. Sepse: ”çdo mendim e çdo thënie e shprehje frazeologjike apo fjalë e urtë, është një këshillë e porosi, është një udhëzim e orientim, është një mësim jetësor, i thënë nga njerëz gjenialë të dijës e të kulturës, i përjetuar nga përvoja jetësore, i latuar e i lëmuar si guri rrumbullakët apo elipsoid i skulpturuar nga mjeshtri i pavetëdijshëm natyrë, i gdhendur e i lëmuar nga rrjedha e valëve lumore apo nga dallgët detare e liqenore shekullore derisa ka marrë atë formë të përkryer të artit origjinal natyror, ndaj nuk lejon kundërshtim as plotësim apo ndryshim, por vetëm pajtim e miratim të admirueshëm,

lakmi e dëshirë permanente për ta mësuar e përvetësuar dhe për ta mbajtur mend e për ta sendërtuar në jetë si vlerë të përkryer e të përsosur të dijës njerëzore” (M. Halimi). Secili nga këto mendime të arta, përfaqëson një xhevahir ose margaritarë të filozofisë, të kulturës e të dijës sonë kombëtare, por edhe ndërkombëtare, e që merita intelektuale e autoriale e veprës në fjalë, i takon autorit të zellshëm, Mursel Murselit, i cili me kureshtje, me dëshirë e dashuri e me përkushtim të veçantë, i voli, i zgjodhi dhe i përzgjodhi dhe i kokërroi, i sistemoi dhe i mbarështroi, duke krijuar një gjerdan xhevahirësh të bukur me ngjyra të llojllojshme ylberore të ajkës së mendimit filozofik kombëtar e botëror, që si të këtilla përbëjnë një thesar margaritarësh të urtisë e të diturisë universale të njerëzimit. Ndonëse, autori Mursel Murseli, gjatë hartimit të kësaj vepre, ka hasë në pengesa objektive e subjektive, ai ka mbledhur e kokërruar dhe i ka mbarështruar pa përtesë thëniet e aforizmat, sentencat e proverbat më kuptimplote të ajkës së mendimit njerëzor. Sepse: “pengesat ekzistojnë, por ato nuk janë të petejkalueshme. I tejkalon ai autor që është i pajisur me dëshirë e vullnet, me energji e gatishmëri, me vendosmëri e shkathtësi, me synime e qëllime të caktuara, ideal ky, i cili nuk i mungoi autorit” Mursel Murseli.
Lexues, të nderuar, duke lexuar këtë vepër do të bëheni më të ditur e më të pasur shpirtërisht, më të gatshëm e më të përgatitur për jetë, më të edukuar e më të mirësjellshëm, më të njerëzishëm e më të kulturuar, më të dashur e më të ndershëm dhe më të virtytshëm. Do të mësoni të dalloni të mirën nga e keqja, miqësinë nga armiqësia, besnikërinë nga tradhtia, modestinë nga mendjemadhësia; zemërgjerësinë nga shpirtngushtësia;

altruizmin nga egoizmi; do të mësoni si të mos gaboni, sepse me këtë vepër do të komunikoni e kontaktoni dhe do të bisedoni e kuvendoni me njerëzit më të ditur të kombit tonë e të shoqërisë njerëzore botërore. Prandaj, lexonie me kujdes e dashuri, me respekt e interesim, e mos përtoni, sepse mendësisht e shpirtërisht do të pasuroheni e do të përsoseni si njerëz më serioz e më dinjitoz të qytetërimit botëror.
Duke uruar e përuruar autorin për një punë të suksesshme e të vlefshme, mund të konstatojmë me admirim e respekt se autori ka punuar me dashuri e përkushtim, me përgjegjësi korrekte, duke bërë një punë të gjatë sistematike e të mundimshme, ai ka arritur të vjel mendimet e arta e të qarta nga veprat e ndryshme dhe të sajojë një vepër të rëndësishme për të gjithë ata lexues, që e duan, e mësojnë dhe e kultivojnë diturinë, edukatën dhe kulturën njerëzore. Edhe kjo vepër, është njëra nga përmendoret e dijes dhe kulturës njerëzore. Publikimi i saj pasuron shpirtin dhe e ndriçon jetën tonë.

Prishtinë, më 17 shkurt 2018
Akademik, Mehmet HALIMI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu