Zyra e Kryeministrit përgjigjet: Vendimi për pagat është në përputhje me ligjin

0
52

Qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn nuk e ka në plan ta rishqyrtojë vendimin për rritjen e pagave të veta, dyfish nga sa ishin fillimisht.

As shqetësimet e shprehura nga qytetarët, deputetët e shoqëria civile, sikurse edhe 200 kravata që iu dërguan në rrethojat e Qeverisë nuk janë marrë në konsideratë. Në Qeveri thonë se vendimi është marrë në përputhje me Kushtetutën dhe pas vlerësimeve ligjore.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një analizë të shkurtër ligjore për vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave të pushtetit ekzekutiv të titulluar “Loja e kundërligjshme e kryeministrit me pagat”.

Thonë se vendimi i Qeverisë, tejkalon kompetencat e përcaktuara me Ligj dhe me Rregulloren e Punës së Qeverisë. Siç sqarojnë ata, në bazë të Kushtetutës dhe ligjit të aplikueshëm në Kosovë, kompetentë për të vendosur lidhur me pagat e funksionarëve të lartë publik në Kosovë, veçanërisht për pozitën e Kryeministrit dhe  ministrave është Kuvendi i Kosovës.

Megjithëkëtë, nga Qeveria thonë se ky vendim është marrë vetëm pas vlerësimeve ligjore dhe atyre kushtetuese. Derisa nuk  e kanë komentuar kërkesën urgjente të IKD’së për ta anuluar vendimin.

“ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Qeveria vendimet i marrin në bazë të kompetencave kushtetuese dhe pas vlerësimeve ligjore” thuhet në përgjigjen për Express, nga zyra e Kryeministrit.

Përveç kësaj, nga Qeveria nuk kanë treguar se në bazë të cilit ligj apo rregullore e kanë bazuar vendimin e tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do të ndjek rrugët ligjore që ta kundërshtojë këtë vendim. Deputeti i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku ka thënë për Express se do ta shqyrtojnë këtë brenda Parlamentit dhe mekanizmave që Parlamenti i ka.

Ditën kur Kryeministri Ramush Haradinaj, ia rriti rrogën vetes nga 1500 në 2950, mori reagime të shumta kritikuese. Por shefi i ekzekutivit e arsyetoi këtë me përgjegjësinë e punës që e ka. Madje tha se ata që i kanë pagat e vogla mund edhe të korruptohen.

Por ai nuk e la me kaq. Tha se ia rriti pagën vetes ngase që nuk mund të dal në publik i veshur gjithqysh.

“S’mundem gjithqysh me dal, obligona për një kravatë, një këmishë”, ishte fjalia e Haradinajt që inicioi edhe një aksion simbolik ‘humanitar’ për të, ku kryeministrit iu dërguan më shumë se 200 kravata edhe këmisha./Gazeta Express/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu